Aksident tragjik në aksin Çermë–Divjakë, humb jetën 39-vjeçari, pesë të plagosur mes tyre tre fëmijë
Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur pasditen e së dielës aksin nacional Çermë–Divjakë, pranë fshatit Çermë-Shkumbin, ku një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur pas përplasjes ballë për ballë të dy automjeteve, një BMW dhe një Opel. Si pasojë e goditjes së fortë ka ndërruar jetë drejtuesi i automjetit Opel, 39-vjeçari Bajram Kaçani.
Në automjetin BMW udhëtonin pesë persona, mes tyre edhe tre fëmijë, të cilët kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore. Burime nga spitali bëjnë me dije se fëmijët janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa personat e tjerë të dëmtuar po marrin trajtim në Spitalin e Lushnjës.
Menjëherë pas aksidentit në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer ekspertizën dhe kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të përplasjes.
Bajram Kaçani, i cili humbi jetën në këtë aksident, ishte baba i tre fëmijëve. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


Be First to Comment