Situata në pikën kufitare Bajakovë, mes Kroacisë dhe Serbisë, është përmirësuar, ndërsa qarkullimi i udhëtarëve po zhvillohet normalisht, pa pritjet e gjata të raportuara më herët gjatë ditës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka bërë të ditur se Ambasada e Kosovës në Kroaci ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kufitare për të ndjekur nga afër situatën dhe për t’u ofruar ndihmë bashkatdhetarëve që udhëtonin në këtë pikë kufitare.
Sipas MPJD-së, vonesat e krijuara gjatë ditës kanë ardhur si pasojë e zbatimit të procedurave të reja të kontrollit kufitar përmes Sistemit të Hyrje/Daljes (EES), i cili ka shkaktuar ngadalësime të përkohshme në procesin e kalimit.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, së bashku me përfaqësues të ambasadës, ka vizituar pikën kufitare Bajakovë, ku është takuar me udhëtarët dhe është interesuar për situatën e tyre.
MPJD ka njoftuar se do të vazhdojë monitorimin e gjendjes në pikat kufitare dhe informimin e qytetarëve, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur numri i mërgimtarëve që udhëtojnë drejt Kosovës rritet ndjeshëm.


Be First to Comment