Një ngjarje e rëndë është shënuar paraditen e kësaj të marte në bregdetin e Vlorës, ku një turiste rreth 30 vjeçe nga Finlanda ka humbur jetën pas një zhytjeje në zonën e Radhimës.
Sipas informacioneve paraprake, e reja ishte pjesë e një grupi zhytësish që po eksploronin zonën pranë anijes së mbytur “Spitaliers”. Gjatë zhytjes, ajo dyshohet se ka pësuar një problem serioz shëndetësor, i cili mund të ketë qenë i lidhur me mungesën e oksigjenit ose me një komplikacion tjetër.
Menjëherë pasi është ndier keq, turistja është ndihmuar nga personat që ndodheshin me të, të cilët e kanë nxjerrë në sipërfaqe dhe e kanë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Burime spitalore bëjnë me dije se 30-vjeçarja mbërriti në gjendje kritike, me vështirësi të theksuara në frymëmarrje. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor dhe trajtimit intensiv, ajo nuk arriti të mbijetojë.
Rrethanat e plota të ngjarjes janë ende duke u hetuar nga autoritetet kompetente.


Be First to Comment