Pas 74 vitesh zbulohet avioni Pan Am i fundosur në Atlantik, tragjedia që ndryshoi sigurinë ajrore
Pas më shumë se shtatë dekadash, një ekip ndërkombëtar kërkues ka zbuluar në thellësitë e Oqeanit Atlantik rrënojat e fluturimit 526A të kompanisë amerikane Pan American World Airways (Pan Am), një nga aksidentet më të rëndësishme në historinë e aviacionit civil.
Avioni u gjet më 2 qershor, rreth 600 metra nën sipërfaqen e detit dhe afërsisht 8 kilometra larg brigjeve të San Juanit, në Porto Riko. Zbulimi u bë falë një mjeti autonom nënujor të pajisur me sonar dhe kamera të avancuara, të cilat analizuan zonën e kërkimit për disa ditë.
Pamjet e para konfirmuan identitetin e avionit, ku dalloheshin logoja e Pan Am, pjesë të trupit të mjetit fluturues, mekanizmi i uljes dhe dritaret e kabinës. Pavarësisht qëndrimit për 74 vite në fund të oqeanit, një pjesë e strukturës është ruajtur në gjendje të mirë.
Fluturimi 526A, i njohur si “Speciali i Pashkëve”, u nis nga San Juani më 11 prill 1952 drejt Nju Jorkut. Vetëm nëntë minuta pas ngritjes, dy nga katër motorët e avionit Douglas DC-4 pësuan probleme serioze. Piloti u përpoq të rikthehej në aeroport, por humbja e lartësisë e detyroi të kryente një ulje emergjente në Atlantik.
Të 69 personat në bord i mbijetuan përplasjes fillestare me ujin, por situata u përkeqësua pak më vonë kur avioni filloi të çahej dhe të fundosej. Deti i trazuar, vështirësitë gjatë evakuimit dhe vonesat e disa pasagjerëve për të braktisur avionin shkaktuan një tragjedi të madhe. Si pasojë, 52 persona humbën jetën, ndërsa 39 trupa nuk u gjetën asnjëherë.
Pjesë e ekspeditës ishte edhe prezantuesi i emisionit “Expedition Unknown” në Discovery Channel, Josh Gates, i cili e cilësoi zbulimin një moment të jashtëzakonshëm.
“Kur pamë pamjet e para, mbetëm pa fjalë. Avioni është ruajtur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të shihje strukturën e tij ende të dallueshme në fund të detit ishte një përvojë e rrallë”, tha ai.
Ekspertët vlerësojnë se aksidenti i vitit 1952 pati ndikim të madh në ndryshimin e standardeve të sigurisë në aviacionin civil. Pas kësaj tragjedie u vendosën masa të reja sigurie, përfshirë udhëzimet e detyrueshme për pasagjerët para nisjes së çdo fluturimi, praktikë që vazhdon edhe sot.
Operacioni i kërkimit u drejtua nga Fondacioni Air/Sea Heritage. Projekti u shty disa herë për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe pandemisë së COVID-19. Mjeti autonom nënujor kreu rreth 30 misione kërkimi dhe regjistroi mbi 350 mijë fotografi të zonës.
Ekipi bëri të ditur se nuk planifikon nxjerrjen e rrënojave apo kërkimin e mbetjeve njerëzore, duke e konsideruar vendin e fundosjes si një memorial për viktimat e kësaj tragjedie historike.


Be First to Comment