BE-ja kërkon rikthimin e prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në Kosovë pas vendimit të ushtrueses së detyrës së presidentes për shkarkimin e prokurorëve nga komuniteti serb dhe qëndrimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për të mos pranuar tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
Në një reagim për mediat, zëdhënësja e BE-së deklaroi se këto veprime mund të jenë në kundërshtim me ligjin, procesin e rregullt ligjor dhe parimet e sundimit të ligjit.
Brukseli ka përshëndetur vendimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serb për të tërhequr dorëheqjet, duke theksuar se prej kohësh u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të krijojnë mundësi për riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.
Sipas Bashkimit Evropian, ky proces duhet të realizohet në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të shmangin çdo veprim që mund të pengojë riintegrimin e personelit gjyqësor serb të Kosovës”, thuhet në deklaratën e publikuar.
Bashkimi Evropian ka rikujtuar gjithashtu se Kosova, sipas Kushtetutës së saj, është një shtet shumetnik dhe se institucionet e drejtësisë duhet të pasqyrojnë këtë diversitet, duke garantuar respektimin e sundimit të ligjit dhe barazinë për të gjitha komunitetet.


Be First to Comment