Ambasada Amerikane paralajmëron qytetarët për protestën para Kuvendit në Tiranë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim për qytetarët amerikanë lidhur me protestën e zhvilluar sot para Parlamentit.
Sipas njoftimit, tubimi do të mbahet pranë ndërtesës së Kuvendit në Rrugën “George W. Bush”. Ambasada paralajmëron se protesta mund të shtrihet edhe në zonat përreth, përfshirë pranë institucioneve të tjera qeveritare.
Në njoftim bëhet e ditur se gjatë protestës pritet shtim i pranisë së policisë, bllokime rrugësh, devijime dhe ndërprerje të trafikut në zonat përreth. Personelit të Ambasadës Amerikane dhe qytetarëve amerikanë u është rekomanduar të shmangin zonat ku zhvillohen protestat.
Ambasada thekson se, edhe pse tubimet zakonisht nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Për këtë arsye, qytetarëve u kërkohet të jenë të kujdesshëm, të monitorojnë zhvillimet përmes mediave lokale dhe të kenë një plan daljeje në rast emergjence.
Në këshillat e sigurisë përfshihen shmangia e demonstratave, vëmendja ndaj ambientit përreth, kufizimi i shpërqendrimeve gjatë qëndrimit në publik dhe ruajtja e një profili të ulët.


Be First to Comment