Një kontroll rutinë i Policisë së Kosovës në Ferizaj ka përfunduar me procedimin e një 20-vjeçari, i dyshuar për posedim të substancave narkotike.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 në rrugën “12 Qershori”, ku zyrtarët policorë ndaluan për kontroll një automjet Audi Q8 me targa gjermane.
Gjatë kontrollit, pasagjeri i automjetit, i identifikuar si Bujar Haziri, dyshohet se ka shfaqur sjellje të dyshimtë dhe ka tentuar të largohej me vrap. Pas një ndjekjeje të shkurtër, ai është ndaluar nga policia.
Më pas, gjatë kontrollit trupor, policia dyshohet se ka gjetur një qese me rreth 3.39 gram marihuanë, si dhe një cigare të mbështjellë me marihuanë me peshë 0.58 gram. Substanca e dyshuar është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 20-vjeçari është intervistuar nën dyshimin për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.


Be First to Comment