Pas raportimeve në media të ndryshme ndërkombëtare, edhe Vatican News, portali zyrtar i Selisë së Shenjtë, i ka kushtuar vëmendje protestave kundër projektit turistik në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit. Në artikull theksohet rëndësia e transparencës në projektet publike, mbrojtja e mjedisit dhe përfshirja e komuniteteve lokale në vendimmarrje, duke iu referuar enciklikës Laudato si’ të Papa Françeskut.
Sipas artikullit, protestat që kanë nisur prej rreth dy muajsh kundër projektit të lidhur me sipërmarrësin Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, janë zgjeruar përtej shqetësimeve mjedisore. Manifestimet, ku marrin pjesë kryesisht të rinj, janë shndërruar në një lëvizje që ngre shqetësime edhe për transparencën në investimet strategjike, korrupsionin, emigrimin dhe shpopullimin.
Në ditët e fundit janë shënuar edhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë pranë Kuvendit, ku pati të lënduar nga të dyja palët.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin, duke deklaruar se ai synon ta kthejë Shqipërinë në një destinacion turistik të nivelit të lartë dhe se investimi do të zbatohet në përputhje me standardet evropiane për mbrojtjen e mjedisit.
Në artikull përmendet edhe deklarata e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, e cila kërkon që çdo projekt zhvillimi të respektojë mjedisin, pronën dhe interesin publik. Duke cituar Papa Françeskun, theksohet se projektet me ndikim mjedisor duhet të kalojnë përmes proceseve transparente, dialogut publik dhe konsultimit me komunitetet lokale, ndërsa korrupsioni dhe mungesa e informimit cenojnë vendimmarrjen demokratike.
Ipeshkvijtë nënvizojnë gjithashtu se pjesëmarrja e qytetarëve në protesta është një shprehje e shqetësimeve të tyre dhe se zëri i komunitetit duhet të dëgjohet e të merret në konsideratë nga institucionet, në përputhje me parimet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.


Be First to Comment