Qeveria ka miratuar dhënien e një shpërblimi prej 5 mijë lekësh të rinj për pensionistët dhe kategori të tjera përfituese, i cili do të shpërndahet gjatë muajit korrik 2026.
Nga ky vendim përfitojnë pensionistët e pleqërisë, invaliditetit, pensionit familjar dhe social, ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, ish-minatorët, si edhe përfituesit e trajtimeve të veçanta financiare. Në listë përfshihen gjithashtu personat me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi që nuk janë të punësuar, veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që trajtohen vetëm me shpërblim financiar, përfituesit e pensioneve të posaçme shtetërore dhe suplementare, si dhe kategori të tjera të veçanta, përfshirë fëmijët në përkujdesje të Republikës dhe familjet e pilotëve të rënë në krye të detyrës.
Shpërblimin do ta marrin edhe ata që fitojnë statusin e përfituesit deri më 30 qershor 2026. Çdo person do të përfitojë vetëm një pagesë, edhe në rastet kur gëzon të drejtën për më shumë se një lloj përfitimi.
Sipas vendimit, fondi i përgjithshëm për zbatimin e kësaj mase arrin në 3.913 miliardë lekë. Prej tyre, 3.886 miliardë lekë janë të destinuara për shpërblimet, ndërsa rreth 27 milionë lekë do të përdoren për mbulimin e kostove administrative.
Pagesat do të derdhen në llogaritë e përfituesve gjatë korrikut 2026. Në rast se, për arsye administrative, shpërblimi nuk ekzekutohet brenda këtij muaji, ai do të mund të tërhiqet deri më 31 dhjetor 2026.


Be First to Comment