Kristian Prenga nuk ia doli të triumfojë përballë Anthony Joshua-s, duke u mposhtur me nokaut në raundin e dytë të sfidës së zhvilluar në Xhedah të Arabisë Saudite.
Boksieri shqiptar e nisi ndeshjen në mënyrë mjaft premtuese, duke dominuar raundin e parë dhe duke e vënë në vështirësi ish-kampionin e botës. Megjithatë, Joshua reagoi fuqishëm në raundin e dytë, duke e mbyllur përballjen me një nokaut.
Pas përfundimit të ndeshjes, Prenga u shfaq i qetë dhe sportiv, duke pranuar humbjen dhe duke e cilësuar atë si pjesë të vullnetit të Zotit.
“Urime për të. Nuk ishte nata ime. Ishte plani i Zotit që ai të fitonte. Unë jam me Të dhe çfarëdo që Ai vendos, e pranoj. Mendova se mund të bëja të njëjtën gjë edhe në raundin e dytë, por nuk ndodhi kështu.
Kisha vetëm 10% të tifozëve të mi këtu, sepse shumë nuk mundën të vinin për shkak të luftës. Nëse kjo ndeshje do të zhvillohej në Europë, ju premtoj se mbështetja do të ishte shumë më e madhe.
Më mbetet vetëm t’u kërkoj falje të gjithë shqiptarëve. Nuk arrita t’ju bëj krenarë këtë herë, por do të rikthehem më i fortë”, deklaroi Kristian Prenga.


Be First to Comment