Kryeministri Edi Rama njoftoi se deri në fund të këtij viti Shqipëria do të ketë në dispozicion tre avionë të rinj për shuarjen e zjarreve dhe menaxhimin e situatave emergjente.
Gjatë një takimi me zjarrfikësit dhe forcat e Emergjencave Civile, Rama tha se procedurat për blerjen e avionëve janë përfunduar dhe se ata do të jenë në pronësi të shtetit shqiptar. Ai shtoi gjithashtu se, në raste të jashtëzakonshme, vendi do të ketë mundësi të përdorë edhe avionë shtesë nëpërmjet marrëveshjeve me partnerët ndërkombëtarë.
Kryeministri bëri të ditur edhe një propozim për shpërblimin e menjëhershëm të të gjithë efektivëve të angazhuar në përballjen me zjarret.
“Kam propozuar që të gjitha forcat që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes dhe janë të angazhuara në këtë proces të shpërblehen menjëherë me një pagë ekstra. U bëj thirrje edhe bashkive që të veprojnë njësoj për trupat e tyre, pa pritur përfundimin e gjithë betejës me flakët”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se investimet për përmirësimin e kushteve të punës, pajisjeve dhe mbështetjes financiare për zjarrfikësit do të vijojnë edhe në të ardhmen.


Be First to Comment