Një ngjarje tragjike ka tronditur Indonezinë, ku një traget u përfshi nga flakët gjatë lundrimit, duke shkaktuar viktima dhe dhjetëra persona të zhdukur.
Sipas autoriteteve, të paktën pesë persona kanë humbur jetën, ndërsa 41 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Deri më tani janë shpëtuar 225 pasagjerë, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet intensive në zonë.
Zjarri u përhap me shpejtësi në bord, duke detyruar shumë pasagjerë të hidhen në det për t’i shpëtuar flakëve. Disa anije që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes ndërhynë menjëherë për të ndihmuar në evakuim, megjithëse kushtet e rrezikshme vështirësuan operacionin.
Trageti ishte nisur nga Surabaya drejt Makassarit. Kapiteni kishte raportuar shpërthimin e zjarrit, por komunikimi me të u ndërpre pak minuta më vonë.
Autoritetet indoneziane kanë mobilizuar anije, ekipe emergjence dhe mjete të tjera për të gjetur personat e zhdukur dhe për të shpëtuar të mbijetuarit. Ndërkohë, hetimet për shkaqet e zjarrit kanë nisur, por ende nuk ka një version zyrtar mbi atë që e shkaktoi incidentin.
Indonezia, një shtet me mijëra ishuj, mbështetet gjerësisht në transportin detar, por aksidentet në det vazhdojnë të jenë një problem serioz për shkak të mbingarkesës së mjeteve, standardeve të sigurisë dhe kushteve të pafavorshme të motit.


Be First to Comment