Skip to content

“Mos pyesni më për rrogën…”/ Qeveria ndryshon ligjin, ja çfarë pritet të ndodhë

Ndryshime të reja në tregun e punës/ Ja çfarë parashikon projektligji i qeverisë

 

Qeveria shqiptare ka hartuar një projektligj të ri që parashikon ndryshime në ligjin nr. 15/2019 “Për nxitjen e punësimit”. Nisma synon modernizimin e shërbimeve të punësimit, zgjerimin e mbështetjes për punëkërkuesit dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

 

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me rritjen e transparencës gjatë rekrutimit. Sipas draftit, punëdhënësit në sektorin publik dhe privat do të kenë detyrimin të bëjnë të ditur intervalin e pagës për pozicionet e lira të punës.

 

Qëllimi i kësaj mase është që kandidatët të kenë më shumë informacion përpara se të aplikojnë dhe të marrin vendime më të informuara gjatë procesit të punësimit.

 

Një tjetër ndryshim prek bizneset, të cilat do të duhet të njoftojnë në mënyrë elektronike institucionet përkatëse kur një kontratë pune përfundon.

 

Projektligji parashikon edhe masa administrative dhe gjoba në rast se detyrimet e reja nuk zbatohen. Mbikëqyrja dhe zbatimi i masave ndëshkuese do të jetë në përgjegjësinë e Administratës Tatimore.

 

Në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit propozon gjithashtu krijimin e “Pasaportës Digjitale të Punësimit dhe Aftësive”. Ky mekanizëm synon të reduktojë burokracinë dhe përdorimin e dokumenteve fizike gjatë proceseve të punësimit.

 

Drafti sjell ndryshime edhe në përcaktimin e kategorive që mund të përfitojnë statusin e punëkërkuesit. Në këtë kategori parashikohet të përfshihen edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, si dhe shtetasit e huaj që banojnë në Shqipëri.

 

Një fokus i veçantë i është kushtuar të rinjve. Projektligji synon të forcojë bazën ligjore të “Garancisë Rinore”, e cila përfshin të rinjtë deri në moshën 29 vjeç, veçanërisht ata që nuk janë në arsim, punësim apo trajnim, të njohur si NEET.

 

Gjithashtu, drafti parashikon konceptin e “nxënësit punëmarrës”, duke synuar mbështetjen e të rinjve që ndjekin arsimin dual dhe kombinojnë mësimin teorik me praktikën në biznese.

 

Një tjetër element i rëndësishëm është afrimi me sistemet evropiane të punësimit. Projektligji parashikon krijimin e “Zyrës Kombëtare Koordinuese të EURES-it”, e cila do të ketë rol në shkëmbimin e informacionit për vendet e lira të punës dhe profilet e punëkërkuesve me sistemet përkatëse evropiane.

 

Sipas nismës, këto ndryshime synojnë ta përshtatin më tej tregun shqiptar të punës me praktikat e Bashkimit Evropian dhe të krijojnë një sistem më transparent, më të digjitalizuar dhe më të aksesueshëm për punëkërkuesit dhe punëdhënësit.

Published inNews Shqip