Qeveria ka vendosur rritjen e pensioneve si një nga prioritetet e planit të saj për vitet e ardhshme. Sipas deklarimeve të kryeministrit Edi Rama, synimi është që deri në fund të vitit 2029 pensioni mesatar për personat me kontribute të plota të arrijë në 400 euro, ndërsa pensioni minimal të shkojë në 200 euro.
Rama ka bërë të ditur se rritja do të realizohet përmes një plani katërvjeçar, ku pensionet pritet të kenë rritje të vazhdueshme çdo vit.
“Sot kemi një pension mesatar 300 euro nëse i referohemi sigurimeve të plota. Pensioni mesatar do të shkojë 400 euro në Shqipërinë e vitit 2029”, është shprehur Rama.
Sipas të dhënave të bëra publike, pensioni mesatar ka pësuar rritje ndër vite. Nga rreth 86 euro në periudhën e parë të qeverisjes së Ramës, ai ka arritur në rreth 175 euro në vitin 2024.
Në fokus është edhe modernizimi i sistemit të sigurimeve shoqërore. Qeveria synon digjitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve, me qëllim që qytetarët të kenë akses më të shpejtë dhe më të lehtë në informacionet dhe shërbimet që lidhen me pensionet dhe kontributet.
Sipas planit të prezantuar, digjitalizimi pritet të ndihmojë gjithashtu në rritjen e transparencës, gjurmimin e kontributeve dhe luftën ndaj informalitetit në tregun e punës.
Ndërkohë, pensionistët mbeten në pritje të masave konkrete dhe të rritjeve që do të aplikohen gjatë viteve të ardhshme.
