Skip to content

Tragjedi familjare, burri vret gruan dhe më pas i jep fund jetës

Tragjedi në Athinë, dyshohet se burri vret 45-vjeçaren dhe më pas i jep fund jetës

Një ngjarje e rëndë ka tronditur lagjen Nea Zmirni në Athinë, ku dy persona, të dyshuar si me origjinë shqiptare, janë gjetur pa shenja jete. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa pista kryesore lidhet me një konflikt të mundshëm mes dy viktimave.

Sipas raportimeve të Top Channel, gruaja, 45 vjeçe, kishte dokumente greke, ndërsa kishte lindur në Shqipëri.

Dyshimet e para janë se gjithçka ka nisur pas një konflikti pranë hyrjes së një pallati. Gjatë përplasjes, burri dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj gruas, duke shkaktuar vdekjen e saj.

Pak kohë më vonë, edhe burri është gjetur i pajetë. Në vendngjarje është sekuestruar një armë, ndërsa të dhënat paraprake të ekspertizës po orientohen drejt dyshimit për një vrasje të pasuar nga vetëvrasja.

Një pjesë e ngjarjes është kapur nga kamerat e sigurisë së ndërtesës. Pamjet pritet të jenë një element i rëndësishëm për hetuesit, të cilët po përpiqen të rindërtojnë minutat para dhe pas krimit.

Burimet raportojnë se në të njëjtën zonë jetonte edhe vajza e 45-vjeçares. Deri në këtë fazë nuk është konfirmuar se dy viktimat kanë qenë të martuar.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar marrëdhënien mes tyre dhe motivin e saktë që çoi në këtë ngjarje tragjike. Ndër pistat që po shqyrtohen është edhe ajo e xhelozisë.

Published inNews Shqip