Familja e 45-vjeçares shqiptare Lulieta Obzova po përballet me dhimbjen e madhe pas vrasjes së saj në Athinë, ndërsa autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të kuptuar nëse kishte sinjale që mund ta kishin parandaluar tragjedinë.
Vëllai i viktimës ka deklaruar për mediat greke se ish-partneri i saj, 50-vjeçari Altin Allmuça, e kishte kërcënuar edhe më herët. Sipas tij, në një rast ai kishte nxjerrë edhe armë.
“I thashë të shkonte te një avokat dhe të merrte një urdhër mbrojtjeje”, ka rrëfyer vëllai i 45-vjeçares.
Familjarët tregojnë se pas ndarjes, sjellja e ish-partnerit ishte kthyer në një burim të vazhdueshëm frike për Lulietën. Sipas tyre, ajo dyshonte se po ndiqej dhe monitorohej prej tij.
Vëllai i saj ka treguar gjithashtu se Allmuça dyshohet se kishte një çelës rezervë të apartamentit dhe se kishte hyrë në banesë në një kohë kur viktima ndodhej në punë.
Lulieta kishte vënë re se disa sende në shtëpi nuk ishin më në vendin ku i kishte lënë. Për këtë arsye, rreth dy javë para ngjarjes, ajo vendosi të ndryshonte bravat e apartamentit.
Sipas familjarëve, ky veprim tregon frikën dhe pasigurinë që 45-vjeçarja kishte përjetuar edhe në banesën e saj.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit. Sipas të dhënave të bëra publike, ish-partneri dyshohet se e kishte pritur viktimën pranë ndërtesës ku ajo banonte.
Kur gruaja mbërriti, ai e sulmoi në hyrje të godinës dhe më pas e qëlloi. Pas krimit, 50-vjeçari dyshohet se vrau edhe veten.
Çifti kishte pasur më herët një marrëdhënie, por pas ndarjes, sipas familjarëve, sjellja e burrit ishte përshkallëzuar.
Një nga çështjet kryesore që po shqyrtojnë hetuesit është nëse autoritetet kishin marrë më herët ndonjë informacion për kërcënimet apo rrezikun ndaj 45-vjeçares.
Deri tani, bëhet e ditur se viktima nuk kishte bërë një denoncim zyrtar për kërcënime apo përndjekje. Megjithatë, nga verifikimet në të dhënat policore është evidentuar një incident i korrikut 2024, kur ajo kishte kontaktuar Departamentin e Policisë së Akropolit për të raportuar vjedhjen e motoçikletës së saj nga një ish-partner, pa e identifikuar atë me emër.
Autoritetet po shqyrtojnë tashmë të gjitha provat dhe informacionet e disponueshme për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse kishte shenja paralajmëruese që mund të ishin evidentuar më herët.
