Skip to content

Shtëpi në Siçili për vetëm 1 euro/ Ja oferta që po tërheq vëmendjen e shqiptarëve në Itali

Në qytetin mesjetar të Naros, në Siçilinë jugperëndimore, po ofrohet një mundësi e veçantë për blerësit nga Italia dhe jashtë saj: shtëpi me një çmim fillestar prej vetëm 1 euroje.

 

Nisma e autoriteteve lokale ka si qëllim rigjallërimin e qendrës historike, rikthimin në përdorim të banesave të braktisura, frenimin e shpopullimit dhe zhvillimin e turizmit.

 

Programi është miratuar nga pushteti vendor, ndërsa të interesuarit mund të aplikojnë përmes platformës online “Case 1 Euro Naro”.

 

Megjithatë, çmimi simbolik prej 1 euroje nuk nënkupton se blerësi do të ketë një shtëpi të gatshme për të banuar me këtë shumë.

 

Banesat e përfshira në program kanë nevojë për rikonstruksion dhe pronarët e rinj duhet të përballojnë shpenzimet për noterizimin, regjistrimin dhe taksat përkatëse.

 

Përveç këtyre kostove, blerësit duhet të investojnë edhe në projektimin dhe restaurimin e ndërtesave, duke i përshtatur ato me standardet e sigurisë, rregullat urbanistike dhe kërkesat për mbrojtjen e peizazhit.

 

Naro ndodhet në provincën e Agrigentos dhe njihet për trashëgiminë e tij historike, arkitekturën baroke dhe Kështjellën Chiaramontano. Qendra e vjetër e qytetit ruan gjithashtu Porta d’Oro, një portë mesjetare që daton në shekullin XIII.

 

Kështu, oferta prej 1 euroje mund të duket në pamje të parë si një mundësi e jashtëzakonshme për të pasur një shtëpi në Siçili. Në praktikë, megjithatë, blerësit duhet të llogarisin një investim të konsiderueshëm për restaurimin dhe kthimin e pronës në një banesë të përshtatshme.

Published inNews Shqip