Skip to content

E BUJSHME/ Ndryshon harta e Tiranës, ja çfarë parashikojnë ndryshimet e reja

Reforma e re administrativo-territoriale e propozuar nga mazhoranca sjell një ndryshim të rëndësishëm për Tiranën. Në kuadër të saj parashikohet krijimi i njësisë së re administrative Rinas, e cila do t’i bashkohet Bashkisë Tiranë.

 

Sipas relacionit të projektit, njësia e re do të përfshijë fshatin Rinas, i cili aktualisht është pjesë e Bashkisë Krujë, si dhe Bërxullën e Domjen, që administrohen nga Bashkia Vorë.

 

Në këtë mënyrë, Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe zona ekonomike përreth tij synohet të përfshihen brenda një territori të vetëm administrativ, nën Bashkinë Tiranë. Hartuesit e reformës argumentojnë se kjo zonë është tashmë e lidhur ngushtë me kryeqytetin, veçanërisht për sa i përket aktivitetit ekonomik, transportit dhe logjistikës.

 

Ky propozim ndryshon nga konsolidimet e tjera të parashikuara në reformë. Ndërsa në rastet e tjera bëhet fjalë për bashkimin e bashkive, Rinasit i ndryshohen kufijtë territorialë duke marrë territore nga Kruja dhe Vora dhe duke i përfshirë në Bashkinë Tiranë.

 

Ndryshimi pritet të ketë ndikim edhe në aspektin ekonomik, pasi zona e Rinasit dhe aeroporti përbëjnë një nga pikat më të rëndësishme të transportit dhe zhvillimit ekonomik në vend.

 

Megjithatë, ndryshimi i kufijve nuk mund të realizohet vetëm përmes miratimit të hartës së re. Sipas relacionit, përpara miratimit përfundimtar duhet të merret edhe mendimi i banorëve të prekur në bashkitë Tiranë, Vorë dhe Krujë, ndërsa duhet të përcaktohen edhe çështjet financiare që lidhen me transferimin e territorit.

 

Kjo procedurë lidhet me kërkesat kushtetuese për konsultimin e komuniteteve përpara ndryshimit të kufijve të njësive të qeverisjes vendore.

 

Nëse reforma miratohet në formën e propozuar, Rinasi dhe territori përreth aeroportit do të kalojnë nën administrimin e Bashkisë Tiranë, duke zgjeruar kufijtë territorialë të kryeqytetit në drejtim të Vorës dhe Krujës.

Published inNews Shqip