Skip to content

Çfarë ndodh me Thaçin nëse shpallet i pafajshëm? A lirohet menjëherë?

A do të lirohet Thaçi nëse shpallet i pafajshëm? Ja çfarë thonë rregullat e Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë më 16 shtator aktgjykimin për rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Procesi gjyqësor, i cili zgjati rreth tri vjet, lidhet me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që, sipas Prokurorisë, janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve.

Ndërsa vendimi përfundimtar ende nuk dihet, ndaj Hashim Thaçit po zhvillohet paralelisht edhe një proces tjetër në Hagë, këtë herë nën akuzat për pengim të drejtësisë.

Pikërisht për këtë arsye shtrohet pyetja: Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm në rastin e krimeve të luftës, a do të lirohet menjëherë nga paraburgimi?

Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara, një i akuzuar që ndodhet në paraburgim dhe shpallet i pafajshëm duhet të lirohet menjëherë, përveç rasteve kur ai mbahet ligjërisht për një çështje tjetër ose është duke vuajtur dënim për vepra të tjera penale.

Në rastin e Thaçit, situata është më e ndërlikuar. Paraburgimi i tij lidhet jo vetëm me procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por edhe me rastin tjetër që ka të bëjë me pengimin e drejtësisë.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë se, nëse Thaçi shpallet i pafajshëm në rastin kryesor, vendimi nëse ai do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim do t’i takojë gjyqtarit të vetëm që shqyrton çështjen e pengimit të drejtësisë.

Ky gjyqtar duhet të rishikojë periodikisht nëse vazhdimi i paraburgimit është ende i arsyeshëm dhe i justifikuar. Rishikimi mund të bëhet edhe me kërkesë të vetë Thaçit, nëse kanë ndryshuar rrethanat e çështjes.

Vendimi i fundit për vazhdimin e paraburgimit u mor më 31 korrik. Në atë vendim u vlerësua se ende ekziston rreziku që Thaçi të pengojë procedurat ose të kryejë vepra të tjera penale.

Sipas afateve të përcaktuara nga gjyqtari, Thaçi mund të paraqesë parashtresat e tij deri më 7 shtator. Nëse nuk e bën këtë, Prokuroria duhet të paraqesë qëndrimin e saj deri më 14 shtator, ndërsa mbrojtja mund të përgjigjet deri më 21 shtator.

Dy proceset gjyqësore ndaj Thaçit

Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u arrestua së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Të katër ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria pretendon se ata kanë qenë pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që synonte kontrollin përmes frikësimit dhe dhunës ndaj personave që konsideroheshin kundërshtarë. Në aktakuzë përfshihen viktima serbe, rome dhe shqiptare që nuk mbështesnin UÇK-në.

Thaçi i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe fyese.

Gjatë procesit, në mbështetje të mbrojtjes së të akuzuarve kanë dëshmuar edhe figura të njohura ndërkombëtare të diplomacisë dhe sigurisë, mes tyre ish-zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-komandanti suprem i NATO-s për Evropën, Wesley Clark.

Procesi gjyqësor për krimet e luftës përfundoi në shkurt të këtij viti, ndërsa të katër të akuzuarit vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.

Ndërkohë, në vitin 2024, Prokuroria e Specializuar ngriti një tjetër çështje ndaj Thaçit, këtë herë për pengim të drejtësisë. Në këtë rast akuzohen edhe Hajredin Kuçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu.

Ata dyshohet se kanë ndërhyrë në procesin e dëshmive të dëshmitarëve të thirrur në çështjen kryesore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Për këtë arsye, edhe nëse Thaçi shpallet i pafajshëm më 16 shtator në rastin për krime lufte, lirimi i tij nuk është automatikisht i garantuar, pasi ai mund të vazhdojë të mbahet në paraburgim për shkak të procesit tjetër që po zhvillohet ndaj tij.

Published inNews Shqip