PAS 5 VITESH NON GRATA/ Berisha niset drejt SHBA-së: “Unë erdha!”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është nisur këtë të premte nga Aeroporti i Rinasit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas rreth pesë vitesh qëndrimi nën masën “non grata”.
I shoqëruar nga interesimi i mediave, Berisha e ka cilësuar udhëtimin si një moment të rëndësishëm, jo vetëm për të, por edhe për Shqipërinë. Ai tha se niset drejt SHBA-së me të njëjtën bindje që kishte gjatë vizitës së tij të parë në vitin 1991.
“Prania juaj këtu dëshmon se ju e ndjeni se ky është udhëtim i viteve për Shqipërinë. Unë kam shumë kënaqësi që sot nisem për në Shtetet e Bashkuara, po me atë bindje si në mars të vitit 1991, se vendi i madh i lirisë do të mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët për t’u çliruar nga diktatura”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se në SHBA do të takojë miqtë e tij, duke e mbyllur deklaratën me një frazë simbolike: “Unë erdha.”
I pyetur nëse gjatë vizitës do të ketë një takim me presidentin amerikan, Berisha u përgjigj shkurt dhe prerë: “Jo.”
Pak para nisjes, lideri demokrat ka përcjellë edhe një mesazh politik në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Duke iu referuar Ramës me termin “Padrino”, Berisha tha se niset si “padrino”, ndërsa sipas tij do të rikthehet si “Ramaduro”.
Berisha e cilësoi këtë udhëtim si jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe e krahasoi me vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se të dyja kanë ngjashmëri për nga rëndësia që mbartin për të.
“Është ndryshe, ka disa ngjashmëri me udhëtimin tim të parë në SHBA. Është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Fakti që jeni këtu dëshmon se ju ndjeni drejtë se është udhëtim i viteve”, deklaroi kreu i PD-së.
