Skip to content

Deri dje kundër, sot në mbështetje të Abdixhikut

ZHVILLIM I PAZAKONTË POLITIK/ Figurave të VV-së u pëlqen qasja e Abdixhikut, ja çfarë po ndodh

Kriza politike rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës ka sjellë një zhvillim të pazakontë në skenën politike: figura të Vetëvendosjes kanë nisur të shprehin publikisht mbështetje dhe vlerësim për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku, i cili në të kaluarën ka qenë një prej figurave të sulmuara politikisht nga kampi i Albin Kurtit, tashmë po merr vlerësime pikërisht nga përfaqësues të Vetëvendosjes.

Afrimi në diskurs u vu re pas marrëveshjes së arritur mes VV-së dhe LDK-së për të mbështetur Bekim Sejdiun si kandidat për president të Kosovës. Megjithatë, marrëveshja u përball me një pengesë pasi gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër saj, duke vënë në pikëpyetje sigurimin e votave të nevojshme.

Në këtë situatë, Albin Kurti e cilësoi Abdixhikun si “mik” dhe pas takimit me të e përshkroi si bashkëbisedues për zhvillimet brenda dy partive.

“Nga Abdixhiku jam informuar për situatën aktuale në subjektin e tij, e njoftova edhe unë për diskutimet me grupin parlamentar të VV-së. Na duhet një mbledhje e re për të parë mundësitë që të ecim përpara”, deklaroi Kurti.

Ai konfirmoi gjithashtu se kandidatura e Bekim Sejdiut mbetet në tryezë, duke vlerësuar se negociatat mes dy subjekteve kishin përfunduar me një marrëveshje.

“Propozimi është Bekim Sejdiu, jemi marrë vesh, negociatat kanë rezultuar, shyqyr, me marrëveshje. Ta shohim tash se çfarë mund të bëjmë më tutje”, tha Kurti.

Kraki: Abdixhiku kërkoi rikthimin e rolit të LDK-së

Një prej mbështetjeve më të drejtpërdrejta erdhi nga deputeti i VV-së, Nezir Kraki, i cili publikisht vlerësoi qëndrimin e Abdixhikut për çështjen e presidentit.

Kraki shkroi se Abdixhiku kishte synuar t’i rikthente LDK-së rolin e një force politike që mundëson arritjen e marrëveshjeve dhe jo bllokimin e tyre.

“Lumir Abdixhiku me të drejtë deshi t’ia rikthente LDK-së rolin që i takon, dmth rolin e një partie që ua mundëson gjërave të bëhen, jo që i bllokon ato”, shkroi ai.

Kraki e lidhi këtë qëndrim me nevojën për funksionimin e institucioneve të Kosovës, ndërsa kritikoi atë që e cilësoi si vendosje të interesave personale mbi proceset politike.

Edhe Elvis Hoxha dhe Fatos Geci reagojnë

Në valën e reagimeve u përfshi edhe Elvis Hoxha, i cili publikoi një video të Abdixhikut pasi kreu i LDK-së kritikoi deputetët e tij për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja.

Reagimi tërhoqi vëmendje edhe për shkak të qëndrimeve të mëparshme të Hoxhës ndaj Abdixhikut.

Ndërkohë, një tjetër vlerësim erdhi nga Fatos Geci, i cili tha se qëndrimi i fundit i kreut të LDK-së e kishte bërë të rishikonte mendimin e tij për të.

“Por ajo që e vërtetova është se Lumir Abdixhiku nuk është siç kam menduar. Për fat të mirë, jam i befasuar nga qëndrimi dhe këmbëngulja e tij burrërore”, shkroi Geci.

Kështu, në mes të krizës për zgjedhjen e presidentit, Abdixhiku po shfaqet si një prej figurave që përfaqësues të VV-së po e vlerësojnë për përpjekjet për të çuar përpara procesin institucional dhe marrëveshjen për presidentin.

Nga një prej rivalëve politikë të Vetëvendosjes, Abdixhiku është kthyer, të paktën për momentin, në një figurë që po merr publikisht vlerësime nga kampi i Kurtit.

Published inNews Shqip