AKSIDENT I RËNDË NË Durrës-Tiranë/ 1 viktimë dhe 7 të plagosur, përplasen 5 automjete
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në autostradën Durrës-Tiranë, ku janë përfshirë pesë automjete.
Si pasojë e përplasjes së fuqishme, një 45-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa shtatë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 05:20. Sipas të dhënave paraprake të grupit hetimor, automjeti me të cilin udhëtonte 45-vjeçari është përplasur fillimisht me një kamion. Përplasja ka rezultuar fatale për drejtuesin e automjetit, i cili ka humbur jetën në vend.
Pas përplasjes së parë, në aksident janë përfshirë edhe tre automjete të tjera. Në to udhëtonin shtetasit G. L., 59 vjeç, dhe J. I., 34 vjeç, së bashku me pesë pasagjerë.
Të gjithë personat e përfshirë në përplasjen e shumëfishtë kanë mbetur të plagosur, por sipas informacioneve paraprake, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe grupi hetimor kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
