PARLAMENTI NIS SESIONIN E RI/ Ja çfarë pritet të ndodhë më 8 shtator dhe si rikthehen protestat
Parlamenti do të nisë sesionin e ri të martën, më 8 shtator, me një axhendë që pritet të përcaktojë edhe temat kryesore politike të javëve të para të punës.
Në orën 11:00 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të përcaktojë projektligjet që do të shqyrtohen dhe votohen gjatë tri javëve të ardhshme. Më pas, në orën 17:00, do të zhvillohet seanca plenare.
Seanca e parë e sesionit ka karakter kryesisht ceremonial. Ajo do të hapet me fjalën e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa më pas do të marrin fjalën drejtuesit e grupeve parlamentare.
Një ndër çështjet kryesore që pritet të kalojë në Kuvend është projektligji për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Drafti synon t’i japë zgjidhje përplasjes së krijuar mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë lidhur me pagat e magjistratëve.
Ndërkohë, rikthimi i deputetëve në Kuvend pritet të shoqërohet edhe me rikthimin e protestave para Parlamentit. Protestuesit e Zvërnecit kanë njoftuar se do të mblidhen sërish të martën për të protestuar para godinës së Kuvendit.
Pas ndërprerjes së protestave gjatë muajve të verës, tubimet e shtatorit kanë marrë një tjetër formë. Protesta e 1 shtatorit u zhvillua ndryshe nga ato të mëparshmet, pasi qytetarët shmangën fjalimet dhe u zhvendosën drejt rrethimit të Kryeministrisë.
Gjatë protestës së 1 shtatorit pati edhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të policisë, ndërsa disa protestues u shoqëruan dhe u arrestuan.
E njëjta formë proteste është paralajmëruar edhe për tubimet e radhës. Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë aksionin dhe se protestat mund të përshkallëzohen në ditët në vijim, duke mos përjashtuar edhe forma të mosbindjes civile.
