LIGJI I RI I MBROJTJES NË SHBA/ Kosova përfshihet në dokumentin prej 901 miliardë dollarësh
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka firmosur Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2026, i cili parashikon një buxhet rekord prej 901 miliardë dollarësh për shpenzimet ushtarake.
Shuma është rreth 8 miliardë dollarë më e lartë se kërkesa fillestare e administratës Trump. Dokumenti përfshin edhe një sërë dispozitash që lidhen me sigurinë evropiane dhe Ballkanin Perëndimor.
Në ligj, Kosova përmendet si një nga gjashtë shtetet kyçe të Ballkanit Perëndimor. Kongresi amerikan nënvizon rëndësinë strategjike të Kosovës dhe e lidh stabilitetin e saj me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara.
Dokumenti riafirmon angazhimin amerikan për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik në rajon.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me dialogun Kosovë-Serbi. Marrëveshja e vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve vlerësohet si një hap pozitiv, ndërsa kërkohet përparim në zbatimin e aneksit të saj.
Në dokument theksohet gjithashtu se zgjidhja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke, ndërsa kundërshtohen ndarjet territoriale, shkëmbimet e territoreve apo ndryshimet e kufijve mbi baza etnike.
Ligji mbështet gjithashtu perspektivën e zgjerimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Aleancë, si dhe procesin e integrimit evropian.
Në kuadër të politikave rajonale parashikohet mbështetje për reformat demokratike, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e institucioneve. Kosova përfshihet edhe në masat për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor, si dhe në përpjekjet për forcimin e sigurisë kibernetike.
Ligji parashikon njëkohësisht masa të reja për sigurinë e Evropës. Ai kufizon mundësinë e Departamentit amerikan të Mbrojtjes për të reduktuar numrin e trupave amerikane në Evropë nën 76 mijë dhe vendos kufizime të tjera lidhur me strukturën e komandës amerikane në kontinent.
Dokumenti përfshin edhe 800 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa 175 milionë dollarë do të shkojnë për mbështetjen e mbrojtjes së Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë.
Ligji i ri përcakton gjithashtu fondet për blerjen e anijeve, avionëve dhe sistemeve raketore, rritjen e pagave për pjesëtarët e ushtrisë amerikane dhe masa të tjera për përballimin e kërcënimeve gjeopolitike.
