Një aksident i rëndë automobilistik ka shkaktuar tre viktima dhe dy të plagosur në Glyfada të Athinës, duke tronditur komunitetin shqiptar në Greqi dhe familjet në Fier.
Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të së enjtes, në bulevardin Poseidonos, pranë kryqëzimit me rrugën Kalypsous, në drejtim të Athinës. Një automjet me pesë persona brenda ka dalë nga rruga dhe është përplasur me forcë me një mur betoni pranë një hoteli.
Përplasja ka qenë tepër e rëndë, duke shkaktuar dëme të mëdha në automjet dhe duke lënë disa prej personave të bllokuar brenda tij. Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e zjarrfikësve, ku tetë efektivë, të asistuar nga tre automjete dhe pajisje speciale, kanë punuar për nxjerrjen e të aksidentuarve.
Tre nga pesë personat në automjet kanë humbur jetën. Sipas autoriteteve greke, viktimat janë një 23-vjeçar, një 26-vjeçar dhe një person tjetër, identiteti i të cilit nuk ishte bërë i ditur në momentet e para pas ngjarjes.
Dy të rinjtë e tjerë, të dy 18-vjeçarë, kanë mbijetuar, por gjendja e njërit prej tyre është kritike. Ai është dërguar në spital dhe ndodhet i intubuar, ndërsa 18-vjeçari tjetër ka pësuar dëmtime të shumta dhe po merr trajtim mjekësor.
Policia rrugore greke ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Në kuadër të hetimeve po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë të zonës. Deri tani, nuk raportohet që në përplasjen tragjike të ketë qenë i përfshirë ndonjë automjet tjetër.
Sipas raportimeve të FieriWeb, tre personat që humbën jetën janë të rinj me origjinë nga Fieri. Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjet e tyre, ndërsa dy të mbijetuarit vijojnë të marrin trajtim në spital.
