Skip to content

Tragjedi në Greqi, 3 të rinj shqiptarë humbin jetën në aksident, zbulohen detajet

Tragjedi në Athinë, aksidenti i rëndë u merr jetën 3 shqiptarëve – dy të rinj në gjendje të rëndë

Një aksident tragjik ka shkaktuar tre viktima shqiptare në Glyfada të Athinës, ndërsa dy të rinj të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të së enjtes, në bulevardin Poseidonos, pranë kryqëzimit me rrugën Kalypsous, në drejtim të Athinës.

Sipas mediave greke, automjeti me pesë persona brenda ka dalë nga rruga dhe është përplasur me forcë me një mur betoni pranë një hoteli.

Përplasja ka qenë shumë e fortë dhe makina është dëmtuar rëndë. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekipet e emergjencës dhe forcat zjarrfikëse.

Tetë zjarrfikës, të pajisur me mjete speciale dhe tre automjete, kanë punuar për nxjerrjen e personave që kishin mbetur të bllokuar në automjet.

Tre nga pesë personat nuk kanë mundur t’u mbijetojnë plagëve të marra.

Sipas të dhënave të publikuara fillimisht nga autoritetet greke, viktimat janë një 23-vjeçar, një 26-vjeçar dhe një person tjetër, identiteti i të cilit nuk ishte bërë menjëherë publik.

Dy personat e tjerë, të dy 18-vjeçarë, kanë mbijetuar, por ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Njëri prej tyre është i intubuar dhe në gjendje kritike, ndërsa i riu tjetër ka pësuar dëmtime të shumta dhe po merr trajtim në spital.

Hetimet për shkaqet e aksidentit

Policia rrugore greke ka nisur hetimet për të përcaktuar se si ndodhi aksidenti.

Hetuesit po shqyrtojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi përplasja. Deri në këtë fazë, nuk raportohet se në aksident është përfshirë ndonjë automjet tjetër.

Ndërkohë, sipas raportimeve të FieriWeb, tre viktimat janë të rinj me origjinë nga Fieri.

Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjet e tyre dhe komuniteti shqiptar, ndërsa dy të rinjtë e mbijetuar vijojnë të marrin trajtim mjekësor pas aksidentit tragjik.

Published inNews Shqip