Aksident tragjik në Tiranë, humb jetën 75-vjeçarja pas përplasjes me motomjet
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Tiranë, ku një 75-vjeçare ka humbur jetën pasi u përplas nga një motomjet.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 19:35 në Rrugën e Dibrës. Sipas policisë, 20-vjeçari E. M., i cili po drejtonte motomjetin, ka përplasur këmbësoren Sh. M., 75 vjeçe.
E moshuara u transportua me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, rreth orës 22:40 ajo ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga përplasja.
I dëmtuar ka mbetur edhe drejtuesi 20-vjeçar i motomjetit. Ai ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë kanë bërë arrestimin në flagrancë të të riut, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurori për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme.
