Skip to content

Gjermania në protestë, ja ku dhe kur mbahet tubimi i sotëm në mbështetje të Çlirimtarëve

“Jo në emrin tim”/ Protestë në Berlin kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë

Një protestë me moton “Jo në emrin tim” zhvillohet sot në Berlin, ku pjesëtarë të diasporës shqiptare pritet të mblidhen para Parlamentit gjerman, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas organizatorëve, tubimi nis në orën 12:00, pranë ndërtesës së Parlamentit gjerman, Reichstagsgebäude, në adresën Platz der Republik 1.

Protesta në Berlin zhvillohet një ditë pas tubimit të mbajtur në Munih, ku shqiptarë nga diaspora shprehën kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të Gjykatës Speciale.

Ndërkohë, sot në Prishtinë është paralajmëruar protesta e 19-të me të njëjtën moto. Tubimi do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, duke nisur nga ora 19:00.

Sipas organizatorëve, në Prishtinë krahas kundërshtimit ndaj aktgjykimit, protesta lidhet edhe me kërkesën për miratimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, nga Kuvendi i Kosovës.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, me një dënim të përgjithshëm prej 81 vitesh burgim.

Tubimet në Kosovë dhe në diasporë janë organizuar për të shprehur qëndrimet e pjesëmarrësve ndaj vendimit të Gjykatës Speciale dhe zhvillimeve që lidhen me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Published inNews Shqip