Skip to content

Aksion i SPAK në Tiranë e Shkodër, 17 persona nën masa sigurie

Zbardhen detaje të reja nga operacioni i SPAK, BKH-së dhe Policisë së Shtetit për goditjen e një grupi të dyshuar kriminal dhe aktivitetit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Endrit (Indrit) Doklen, i dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të kokainës.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të operacionit të koduar “Muri i Lartë”, Dokle nuk është gjetur në banesën e tij. Ndaj tij tashmë është në fuqi masa e arrestit dhe vijojnë kërkimet për ekzekutimin e saj.

Pas lëshimit të urdhërarresteve edhe për Bledar Cafin dhe Indrit Doklen, numri i personave ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie në kuadër të kësaj dosjeje ka arritur në 17.

Hetimet, të drejtuara nga prokurori i SPAK, Adnand Xholi, kanë evidentuar dyshime për lidhje të grupit të Rrajave me aktivitetin e trafikut të lëndëve narkotike, si dhe me vepra të tjera të dyshuara që lidhen me krimin e organizuar.

Sipas të dhënave të hetimit, aktiviteti i dyshuar kriminal shtrihej në disa qarqe të Shqipërisë, ndërsa një pjesë e dyshimeve lidhet edhe me veprimtari të kryera jashtë territorit të vendit.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rolin e personave të dyshuar dhe lidhjet e mundshme të aktivitetit kriminal me rrjete ndërkombëtare të trafikut të narkotikëve.

Published inNews Shqip