Aksion i gjerë policor në Prilep, kontrolle në rreth 30 lokacione
Një aksion i gjerë policor është zhvilluar që në orët e para të mëngjesit në Prilep, ku janë angazhuar forca të shumta policore, përfshirë edhe njësi speciale.
Sipas informacioneve paraprake, operacioni i koordinuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Byrosë për Siguri Publike, përfshin kontrolle dhe bastisje në rreth 30 lokacione në Prilep dhe në zonat përreth.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se aksioni lidhet me një hetim për veprimtari të dyshuara kriminale të organizuara. Një nga pistat që po hetohet lidhet me trafikimin e lëndëve narkotike.
Në kuadër të hetimit, raportohet se po verifikohen edhe persona që janë pjesë e strukturave policore, për shkak të dyshimeve për kontakte ose lidhje të mundshme me persona nën hetim. Deri tani, këto informacione nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Forca të shumta policore janë parë në disa pjesë të qytetit dhe në zonat përreth, ndërsa kontrollet vijojnë në disa lokacione.
Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë bërë të ditur zyrtarisht nëse ka persona të ndaluar apo çfarë është sekuestruar gjatë bastisjeve.
Pritet që Ministria e Punëve të Brendshme të publikojë më shumë detaje pas përfundimit të operacionit.
