Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar në emisionin “Debat Plus” se nuk e konsideron të nevojshëm krijimin e një koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Haxhiu sqaroi se bashkëpunimi me PDK-në mund të jetë i mundur për çështje të veçanta, veçanërisht lidhur me kundërshtimin e vendimit të 16 shtatorit, por jo në formën e një partneriteti për qeverisje.
Sipas saj, për të arritur një qëndrim të përbashkët pas zhvillimeve të 16 shtatorit, nuk është e domosdoshme që partitë të krijojnë një koalicion formal.
“Për të pasur një qëndrim unifikues me 16 shtatorin, nuk na duhet një koalicion i përbashkët. Na duhen veprime të përbashkëta, unifikim për secilin veprim që kemi përpara, kontribut nga secila palë”, deklaroi Haxhiu.
Ajo theksoi se, në këndvështrimin e saj, PDK-ja nuk mund të konsiderohet aktualisht si partnere për një qeveri të përbashkët, duke nënvizuar se bëhet fjalë për qëndrimin e saj personal.
“Nuk e shoh që na duhet një koalicion me PDK-në, jo në këtë periudhë. Mundemi të bashkëpunojmë në raport me kundërshtimin e vendimit të 16 shtatorit, të padrejtë. Mirëpo nuk i shoh si partner në qeverisje. Ky është qëndrimi personal”, u shpreh ajo.
Gjatë intervistës, Haxhiu foli edhe për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Ajo përsëriti qëndrimin se kreu i shtetit duhet të jetë një person që nuk është pjesë e një partie politike.
“Presidenti duhet të jetë president që nuk duhet të jetë në parti politike. Edhe në këtë situatë që jemi, do të ishte më e mira”, tha Haxhiu.
Ajo bëri të ditur se gjatë diskutimeve janë shqyrtuar disa emra të mundshëm për postin e presidentit, duke përfshirë persona me kontribut në shoqëri dhe në institucionet e Kosovës.
“Kemi pasur disa alternativa, për emra që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme në shoqërinë tonë, në institucionet e Republikës së Kosovës. Insistimi që të kemi kandidat nga radhët e tyre është i gabuar”, deklaroi ajo.
Haxhiu iu referua edhe diskutimeve të mëparshme të zhvilluara nga Glauk Konjufca, duke thënë se partive të tjera u ishte kërkuar të propozonin kandidatë për president.
Sipas saj, Konjufca kishte kërkuar nga LDK-ja dhe PDK-ja që të paraqisnin emra, të cilët më pas do të shqyrtoheshin, por një gjë e tillë, sipas Haxhiut, nuk kishte ndodhur.
Në fund, Haxhiu përmendi edhe rezultatin zgjedhor të Glauk Konjufcës, duke argumentuar se nëse kriter për zgjedhjen e presidentit do të ishin votat e marra nga kandidatët, atëherë edhe ai do të duhej të merrej në konsideratë.
“Nëse hyjmë me persona që janë matur në zgjedhje, atëherë Glauk Konjufca ka mbi 200 mijë vota, nuk e di sigurt. Nëse kemi me persona partiakë, atëherë ku e kemi Glauk Konjufcën?”, deklaroi Haxhiu.
