Skip to content

Humbje e madhe për mjekësinë shqiptare/ Ndahet nga jeta në moshë të re doktoresha e njohur

Anila Thomai, mjekja shqiptare që ushtronte profesionin në Itali, është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Lajmi i hidhur ka tronditur familjarët, miqtë, kolegët dhe komunitetin e Trevisos, ku ajo kishte ndërtuar prej vitesh jetën dhe karrierën e saj.

Për më shumë se dy dekada, Thomai u shërbeu pacientëve në klinikën e saj në Viale Burchiellati, duke u kthyer në një figurë të njohur dhe të respektuar për shumë familje italiane dhe shqiptare.

Ajo e ushtronte zyrtarisht profesionin si mjeke e përgjithshme pranë USL 2 që prej vitit 2005. Gjatë viteve të punës, ajo u vlerësua për përkushtimin, profesionalizmin dhe kujdesin e veçantë ndaj pacientëve.

Sipas mediave italiane, edhe gjatë periudhës së sëmundjes, Anila Thomai vijoi të ishte pranë pacientëve dhe të punonte për aq kohë sa gjendja e saj shëndetësore ia mundësonte.

Humbja e saj ka shkaktuar dhimbje të madhe te njerëzit që e njihnin. “Humbja e saj e parakohshme na ka lënë një dhimbje të madhe dhe një boshllëk të pazëvendësueshëm. Pozitiviteti, mirësia dhe dashuria që e karakterizonin do të mbeten gjithmonë me ne”, është shprehur kunata e saj.

Për pacientët, kolegët dhe familjet që e njohën ndër vite, Anila Thomai nuk ishte vetëm një mjeke e përkushtuar, por edhe një person që dinte të dëgjonte, të kuptonte dhe të ofronte mbështetje në momentet e vështira.

Ceremonia e lamtumirës së fundit do të zhvillohet të mërkurën, në orën 14:30, në Katedralen e Trevisos.

Mesazhe të shumta ngushëllimi janë publikuar pas lajmit të ndarjes së saj nga jeta, ndërsa familjarët dhe të afërmit kanë vlerësuar figurën e saj njerëzore dhe kontributin e dhënë për më shumë se 20 vite në shërbim të komunitetit.

Published inNews Shqip