Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke deklaruar se nuk e konsideron të nevojshëm krijimin e një koalicioni qeverisës mes palëve.
E ftuar në emisionin “Debat Plus”, Haxhiu theksoi se bashkëpunimi me PDK-në mund të zhvillohet për çështje konkrete, veçanërisht lidhur me kundërshtimin e vendimit të 16 shtatorit, por jo në formën e një partneriteti në qeverisje.
Sipas saj, për të arritur një qëndrim të përbashkët nuk është e domosdoshme që partitë të krijojnë një koalicion politik.
“Për të pasur një qëndrim unifikues me 16 shtatorin, nuk na duhet një koalicion i përbashkët. Na duhen veprime të përbashkëta, unifikim për secilin veprim që kemi përpara dhe kontribut nga secila palë”, deklaroi Haxhiu.
Ajo sqaroi se qëndrimi për të mos e parë PDK-në si partner qeverisës është qëndrim i saj personal.
“Por nuk e shoh që na duhet një koalicion me PDK-në, jo në këtë periudhë. Mundemi të bashkëpunojmë në raport me kundërshtimin e vendimit të 16 shtatorit, mirëpo nuk i shoh si partner në qeverisje. Ky është qëndrimi personal”, u shpreh ajo.
Gjatë intervistës, Haxhiu u ndal edhe te çështja e zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Ajo përsëriti qëndrimin se kreu i shtetit nuk duhet të jetë pjesë e një partie politike.
“Presidenti duhet të jetë president që nuk duhet të jetë në parti politike. Edhe në këtë situatë që jemi, do të ishte më e mira”, tha Haxhiu.
Ajo bëri të ditur se gjatë diskutimeve janë shqyrtuar disa emra të mundshëm për këtë post, përfshirë persona që kanë dhënë kontribut në shoqëri dhe në institucionet e Kosovës.
“Kemi pasur disa alternativa, për emra që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme në shoqërinë tonë, në institucionet e Republikës së Kosovës. Insistimi që të kemi kandidat nga radhët e tyre është i gabuar”, deklaroi kryetarja e Kuvendit.
Haxhiu përmendi edhe ish-kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, duke thënë se partive u ishte kërkuar të propozonin emra për postin e presidentit, të cilët më pas do të shqyrtoheshin.
Sipas saj, nuk pati propozime të tilla nga palët.
Në fund, Haxhiu iu referua edhe rezultatit zgjedhor të Konjufcës, duke argumentuar se nëse kriter për zgjedhjen e presidentit do të ishin votat e marra në zgjedhje, atëherë edhe ai do të duhej të merrej në konsideratë.
“Nëse hyjmë me persona që janë matur në zgjedhje, atëherë Glauk Konjufca ka mbi 200 mijë vota. Nëse kemi me persona partiakë, atëherë ku e kemi Glauk Konjufcën?”, u shpreh ajo.
