Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara ditët e fundit në kryeqytet, duke u bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin.
Reagimi i përfaqësisë diplomatike amerikane vjen pas incidenteve të regjistruara gjatë demonstratave, ku janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe Policisë, si dhe dëmtime të pronës publike dhe private.
Në një përgjigje për mediat, Ambasada e SHBA-së thekson rëndësinë e respektimit të ligjit dhe të ushtrimit paqësor të së drejtës për të protestuar.
“ Nxisim qytetarët që marrin pjesë në protesta ta shprehin qëndrimin e tyre në mënyrë të ligjshme dhe paqësore. Aktet e dhunës nuk janë pjesë e angazhimit qytetar”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
