Ambasadorja e BE-së: Shqipëria po hyn në një fazë të re drejt integrimit europian
Ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka vlerësuar ecurinë e vendit në procesin e integrimit europian, duke theksuar se Shqipëria tashmë ndodhet në një fazë të re dhe më të avancuar të këtij procesi.
Gjatë Konferencës Ndërparlamentare me temë “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, ambasadorja nënvizoi rëndësinë e rolit të institucioneve dhe të zbatimit konkret të reformave.
Sipas Moreira de Sousa, një forum parlamentar është një prej vendeve më të përshtatshme për të diskutuar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, pasi ky proces nuk lidhet vetëm me politika të caktuara, por edhe me transformimin e institucioneve dhe shoqërive.
“Zgjerimi do të thotë një projekt politik, një proces shndërrimi institucionesh dhe shoqërish. Është një projekt i cili bën bashkë popujt e ndryshëm me vlera të njëjta”, u shpreh ajo.
Ambasadorja tha se Shqipëria ka kaluar në një etapë të re pas hapjes së të gjithë grup-kapitujve të negociatave dhe mbylljes provizore të tre prej tyre.
“E ardhmja europiane e Shqipërisë po bëhet gjithnjë e më e prekshme”, deklaroi Moreira de Sousa.
Ajo vlerësoi gjithashtu zhvillimet në disa prej fushave që lidhen me procesin e integrimit, duke veçuar reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut.
Sipas saj, reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime të rëndësishme në sistemin gjyqësor, ndërsa forcimi i institucioneve të pavarura mbetet një element i rëndësishëm i procesit.
Moreira de Sousa theksoi se anëtarësimi në BE nuk duhet parë vetëm si një objektiv politik, por edhe si një proces që duhet të sjellë ndryshime konkrete në jetën e qytetarëve shqiptarë.
“Ky proces, pra anëtarësimi, është një proces që ndihmon shqiptarët që të ndiejnë efektin shndërrues që sjell anëtarësimi në BE”, tha ajo.
Një tjetër pikë e rëndësishme e mesazhit të ambasadores ishte zbatimi i reformave. Ajo nënvizoi se miratimi i ligjeve nuk është i mjaftueshëm nëse ato nuk zbatohen në praktikë.
“Miratimi i legjislacionit është vetëm pjesë e procesit. Zbatimi është aspekti i pazëvendësueshëm”, deklaroi ambasadorja.
Ajo shtoi se faza aktuale e integrimit kërkon institucione që funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme, të pavarur dhe në përputhje me standardet europiane.
Në përfundim, Moreira de Sousa theksoi se orientimi europian i Shqipërisë është i përcaktuar qartë.
“Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj dhe është shumë e qartë për këtë. E ardhmja e saj është në familjen europiane”, përfundoi ambasadorja e BE-së.
