Merkel u bën thirrje gjermanëve të mbrojnë demokracinë: “Duhet të jemi më të guximshëm”
Vetëm një javë para zgjedhjeve rajonale në Saksoni-Anhalt, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje për angazhim më të madh qytetar në mbrojtje të demokracisë, në një kohë kur e djathta ekstreme po forcon pozitat e saj në vend.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar të shtunën në Berlin, Merkel u shpreh se Gjermania po përballet me një situatë të paprecedentë prej shumë dekadash dhe theksoi rëndësinë e reagimit të qytetarëve.
“Duhet të luftojmë për këtë demokraci, të ngrihemi për të dhe të jemi pak më të guximshëm”, deklaroi ish-kancelarja, duke e cilësuar demokracinë si një mënyrë të mirë për të jetuar.
Merkel vuri në dukje se shumica e qytetarëve gjermanë nuk e mbështesin Alternativën për Gjermaninë (AfD), parti e krahut të djathtë ekstrem. Megjithatë, ajo paralajmëroi se mbështetja për AfD nuk është më e kufizuar vetëm në territoret e ish-Gjermanisë Lindore.
Sipas saj, partia ka zgjeruar ndikimin edhe në pjesën perëndimore të vendit dhe tashmë është shndërruar në një fenomen me shtrirje mbarëgjermane.
Duke iu referuar fushatës elektorale në Saksoni-Anhalt, Merkel tha se AfD ka arritur të ndikojë ndjeshëm në debatin politik, duke bërë që diskutimet publike të përqendrohen kryesisht te ajo.
Ajo theksoi se kjo situatë mund ta bëjë më të vështirë për qytetarët të kuptojnë qartë programet dhe objektivat e partive të tjera.
Zgjedhjet për parlamentin e landit të Saksoni-Anhalt janë planifikuar të mbahen më 6 shtator. AfD kryeson në sondazhet para zgjedhjeve, duke e kthyer këtë proces zgjedhor në një provë të rëndësishme për ndikimin e së djathtës ekstreme në politikën gjermane.
