Skip to content

Trishtim në botën akademike, ndahet nga jeta pedagogia e njohur

Ndahet nga jeta pedagogia Aida Kurani, një prej themelueseve të Universitetit “Aleksandër Moisiu”

Një lajm i trishtë është bërë i ditur këtë mëngjes nga Durrësi. Pedagogia Aida Kurani, pjesë e Fakultetit të Edukimit dhe Departamentit të Gjuhës Shqipe, si dhe një prej themelueseve të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, është ndarë nga jeta.

Lajmi është bërë publik nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, i cili ka shprehur dhimbjen për humbjen e një prej figurave të rëndësishme të komunitetit të tij akademik.

Gjatë viteve të saj në universitet, Prof. As. Dr. Aida Kurani dha një kontribut të rëndësishëm në jetën akademike dhe në edukimin e brezave të studentëve. Ajo do të kujtohet për përkushtimin ndaj profesionit, seriozitetin akademik dhe marrëdhënien e veçantë njerëzore me studentët dhe kolegët.

Në mesazhin e ndarë për këtë humbje, universiteti e ka cilësuar Kuranin si një pjesë të çmuar të familjes akademike, duke vlerësuar kontributin dhe gjurmën që ajo ka lënë ndër vite.

“Me dhimbje të thellë, i japim lamtumirën Prof. As.Dr. Aida Kuranit, pedagoge e Fakultetit të Edukimit, pranë Departamentit të Gjuhës Shqipe, si edhe një prej themelueseve të UAMD-së, pjesë e çmuar e familjes sonë akademike. Kontributi, përkushtimi dhe gjurma që ajo la te studentët, kolegët dhe në jetën akademike të Universitetit do të kujtohen gjithmonë me respekt dhe mirënjohje”, thuhet në njoftimin e universitetit.

Përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet këtë të diel, më 30 gusht 2026, në orën 15:00, nga shtëpia e pritjes Alba, në Rrugën e Dibrës, Tiranë, drejt Tufinës.

Vizitat për familjarët, miqtë dhe kolegët do të zhvillohen të martën dhe të mërkurën, më 1 dhe 2 shtator, në oraret 10:00–13:00 dhe 17:00–20:00.

Published inNews Shqip