Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Colico-s, në provincën e Lecco-s, Itali, ku një 49-vjeçar ka humbur jetën pas një konflikti familjar. Sipas dyshimeve të autoriteteve, ai është goditur me thikë nga babai i tij 83-vjeçar.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, më 29 gusht, në banesën ku babë e bir jetonin së bashku. Nga hetimet paraprake dyshohet se një debat mes tyre ka përshkallëzuar, duke përfunduar me 83-vjeçarin që ka marrë një thikë kuzhine dhe ka goditur të birin.
I plagosuri u transportua me helikopter drejt Spitalit San Gerardo në Monza, ku mjekët tentuan t’i shpëtonin jetën. Megjithatë, 49-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Pas ngjarjes, karabinierët arrestuan 83-vjeçarin, i cili dyshohet për vrasje. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të konfliktit dhe për të përcaktuar saktësisht se si ndodhi ngjarja tragjike.
