Skip to content

Kurti: Nuk mund të presim deri në vitin 2044 për të zbardhur fatin e të zhdukurve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që arkivat e Serbisë të hapen sa më shpejt, me qëllim që të kontribuohet në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kurti rikujtoi se Serbia, në deklaratën e 2 majit 2023, ishte zotuar për bashkëpunim në procesin e hapjes së arkivave.

Sipas tij, një ndër dosjet më të rëndësishme që duhet të deklasifikohet është ajo e Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, e cila, sipas Kurtit, ka qenë e përfshirë në kryerjen e krimeve gjatë luftës në Kosovë.

“Nuk mund të presim deri në vitin 2044 që të hapen këto arkiva. Ato është dashur të hapen shumë më herët”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se dosjet janë klasifikuar në vitin 2014, në kohën kur Aleksandar Vuçiq mbante postin e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë.

Kurti tha se, meqë kanë kaluar tashmë rreth dhjetë vjet nga klasifikimi i këtyre dokumenteve, nuk ka arsye që të pritet edhe 18 vite të tjera për hapjen e tyre.

“Duhet të hapen një ditë e më parë”, u shpreh kryeministri në detyrë.

Published inNews Shqip