Pronar i tokave në Zvërnec flet për hetimin e SPAK: Nuk kam asgjë për të fshehur
Biznesmeni Artur Shehu ka reaguar lidhur me çështjen e pronave në Zvërnec dhe hetimin e nisur nga SPAK për transaksionet e lidhura me projektin e investimit në zonë.
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Shehu deklaroi se është një nga pronarët e tokave në Zvërnec dhe se prona e familjes së tij është e dokumentuar ligjërisht prej shumë vitesh.
“Familja jonë zotëron rreth 460 hektarë tokë në Zvërnec, ndërsa për rreth 253 hektarë disponojmë certifikata pronësie. Bëhet fjalë për një pronë të trashëguar dhe jo të blerë. Statusi i saj juridik është i qartë dhe i padiskutueshëm”, u shpreh ai.
Lidhur me verifikimet e SPAK, biznesmeni tha se nuk ka asnjë shqetësim dhe se është i gatshëm të paraqesë çdo dokument të kërkuar nga autoritetet.
“SPAK po bën punën e vet dhe unë e respektoj plotësisht. Dokumentacioni është i disponueshëm dhe do të paraqitet për çdo verifikim që kërkohet”, deklaroi Shehu.
Ai mohoi gjithashtu zërat për takime apo lidhje me figura politike dhe investitorë të caktuar, duke i cilësuar këto pretendime si të pavërteta.
Sipas tij, kontaktet për çështjet e pronës janë menaxhuar përmes ndërmjetësve dhe avokatëve, ndërsa çdo pretendim për takime sekrete apo ndërhyrje politike nuk qëndron.
Shehu shtoi se jeton prej afro tre dekadash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka status azili politik, ndërsa theksoi se do të bashkëpunojë me çdo institucion për të sqaruar të gjitha aspektet e çështjes.