Skip to content

BE-ja ‘trondit’ Vuçiqin, Serbisë i jepet një ‘urdhër’ i prerë

Bashkimi Evropian ka rikujtuar, në trevjetorin e sulmit në Banjskë, se ngjarja e 24 shtatorit 2023 përbënte një kërcënim serioz për sigurinë në rajon. BE-ja i ka bërë thirrje Serbisë që të ndërmarrë menjëherë hapat e nevojshëm për të nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjës për sulmin.

Zëdhënësi i BE-së ka deklaruar se Serbia ende nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për ndjekjen penale të personave që ndodhen në territorin e saj dhe që lidhen me sulmin në Banjskë.

Sipas tij, kjo çështje është ngritur edhe gjatë takimit të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në New York.

“Para tri vitesh, sulmi në Banjskë, më 24 shtator 2023, i kryer nga sulmues serbë të Kosovës të armatosur ndaj Policisë së Kosovës, kërcënoi seriozisht sigurinë në rajon. Ky sulm i tmerrshëm mori jetën e një polici dhe la dy të tjerë të plagosur”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Ai ka theksuar se BE-ja vazhdimisht ka kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë, ndërsa ka shprehur keqardhje që Serbia, deri më tani, nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ndjekjen e personave që ndodhen në territorin e saj dhe ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanaleve të përcaktuara të asistencës së ndërsjellë. Kjo çështje ka qenë në pritje për një kohë të gjatë dhe duhet të ndiqet menjëherë nga Serbia”, ka deklaruar zëdhënësi.

Ai ka shtuar se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, e ka ngritur sërish këtë çështje me presidentin Vuçiç gjatë takimit të tyre në New York.

Published inNews Shqip