Karamuço: Protestat mund të përshkallëzohen në shtator, rrezik për bllokime rrugësh dhe rrethime institucionesh
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka komentuar ndërhyrjen e policisë gjatë protestës së 94-t në Tiranë, duke u ndalur te perimetri i përcaktuar për zhvillimin e tubimit dhe lëvizja e protestuesve përtej kësaj zone.
Sipas Karamuços, bllokimi i akseve rrugore mund të sjellë pasoja ligjore, ndërsa policia, në raste të tilla, mund të ndërhyjë për të rikthyer situatën brenda perimetrit të përcaktuar.
“Ne kemi problemet e elementëve të sigurisë së këtyre objekteve dhe personaliteteve. Policia ka ndërmarrë këtë lloj veprimi, sepse leja që është dhënë për të kryer atë tubim prej gati 90 ditësh ka dalë përtej perimetrit të vendosur dhe të dakordësuar. Për këtë arsye, bllokimi i të gjitha akseve mund të sjellë pasoja ligjore. Në këto raste bëhet fillimisht thirrje me megafon, më pas mund të ketë shtyrje të protestuesve dhe, në vijim, përdorim të ujit apo gazit lotsjellës”, deklaroi ai për “Euronews Albania”.
I pyetur se deri ku mund të shkojë ndërhyrja e policisë nëse protestuesit nuk largohen, Karamuço paralajmëroi për mundësinë e përshkallëzimit të situatës dhe përplasjeve fizike.
“I gjithë synimi i policisë është t’i nxjerrë në bulevard, në mënyrë që të hapet rruga pas tyre. Kjo është e gjitha. Madje synohet të hapet edhe rruga tjetër, pjesa e brendshme pranë Kryeministrisë. Përplasjet mes policisë dhe protestuesve janë bërë më të ashpra. Para pak minutash ka pasur edhe një oficer policie të lënduar. Nëse vazhdohet kështu, mund të ketë edhe të lënduar të tjerë. E mira është që situata të mos përshkallëzohet deri në përplasje fizike, sepse e dimë se çfarë ka ndodhur në ngjarjet e mëparshme”, tha Karamuço.
Sa i përket vijimit të protestave gjatë muajit shtator, eksperti e konsideron situatën e krijuar më 1 shtator si një sinjal për një fazë të re të tubimeve. Sipas tij, protestat mund të shoqërohen me bllokime rrugësh dhe tentativa për rrethimin e institucioneve.
“Kjo ishte një tentativë e parë. Është një sinjal që shtatori do të vijojë, ashtu siç kanë paralajmëruar edhe vetë protestuesit, me përshkallëzim dhe bllokime. Dhe ja, ka filluar që sot, më 1 shtator. Këto do të jenë, mendoj unë, skenarët e shtatorit: bllokime rrugësh, rrethime institucionesh e të tjera forma përshkallëzimi, të cilat sigurisht do të hasen edhe në veprimet konkrete nga ana e Policisë së Shtetit, e cila do të ketë përgjegjësinë për garantimin e sigurisë dhe rendit publik”, u shpreh ai.
Karamuço tha gjithashtu se gjatë javëve të fundit masat e sigurisë pranë Kryeministrisë ishin reduktuar, pasi protestat e mëparshme nuk kishin sjellë incidente të rëndësishme.
“Unë kam parë gjatë gjithë kësaj kohe edhe mbrapa Kryeministrisë që, përveç një numri të vogël, pothuajse modest, të forcave ‘Shqiponja’, kanë qenë edhe dy-tre efektivë të Gardës. Pra, ishin ulur masat e sigurisë dhe të ruajtjes, sepse e kishin parë që rituali i zakonshëm, sidomos i këtyre 50 ditëve të fundit, nuk kishte pasur asnjë ekses.
Në njëfarë mënyre, policia u gjend e papërgatitur dhe thirri menjëherë forca shtesë nga Ministria e Brendshme në drejtim të Kryeministrisë. Edhe makina e ujit qëndron te Ministria e Brendshme, pasi nuk pritej që situata të përshkallëzohej menjëherë në këtë mënyrë”, përfundoi Ervin Karamuço.
