Shtatori nis me temperatura përvëluese, Porja paralajmëron kthesën e motit pas 10 shtatorit
Sinoptikania Lajda Porja ka dhënë parashikimin për ditët e para të shtatorit, duke paralajmëruar temperatura shumë të larta për këtë periudhë të vitit, ndërsa një ndryshim i ndjeshëm i motit pritet pas datës 10.
Sipas saj, vala e të nxehtit do të vijojë të dominojë deri më 10 shtator, me temperaturat që në disa zona mund të arrijnë deri në 36-37 gradë Celsius.
Elbasani dhe Berati pritet të shënojnë temperaturat më të larta, deri në 37 gradë, ndërsa në Tiranë termometri mund të ngjitet në 36 gradë. Në Fier dhe Lushnjë temperaturat priten rreth 35 gradë.
Në zonat malore temperaturat do të arrijnë deri në 32 gradë, ndërsa përgjatë bregdetit priten vlera rreth 33-34 gradë.
“Deri në datën 10, në dy apo tre qarqe të Shqipërisë termometri mund të regjistrojë 36-37 gradë”, është shprehur Porja, duke theksuar se bëhet fjalë për vlera shumë të larta për fillimin e vjeshtës.
Në pjesën më të madhe të vendit, ditët në vijim priten të jenë të kthjellëta dhe të thata. Mundësi për rrebeshe të izoluara shiu do të ketë kryesisht në zonat juglindore.
Pas 10 shtatorit, rënie me rreth 10 gradë
Ndryshimi i madh i motit pritet të nisë pas datës 10 shtator. Sipas parashikimit të sinoptikanes, një masë ajrore e ftohtë me origjinë nga veriu do të lëvizë drejt Ballkanit, duke sjellë destabilizim të atmosferës dhe reshje.
Temperaturat mund të pësojnë një rënie të ndjeshme, nga 36-37 gradë në rreth 28-29 gradë Celsius.
Kjo periudhë më e freskët pritet të zgjasë rreth katër deri në pesë ditë, duke sjellë kushte më tipike për stinën e vjeshtës.
“Pas datës 10 do të përjetojmë disa nuanca të vjeshtës. Në disa zona temperaturat do të jenë deri në 10 gradë më të ulëta. Nga 37 gradë, termometri pritet të zbresë në 28-29 gradë”, ka deklaruar Porja.
Megjithatë, freskimi nuk pritet të zgjasë gjatë. Rreth datave 17-18 shtator, temperaturat pritet të nisin sërish të rriten.
Sipas Porjas, periudhat e motit të ngrohtë po zgjasin përtej muajve tradicionalë të verës dhe temperaturat mbi normalen mund të vijojnë edhe gjatë tetorit dhe nëntorit, ndërsa reshjet pritet të shfaqen në periudha të ndryshme gjatë muajve në vijim.
