Një histori e pazakontë vjen nga Italia, ku 29-vjeçarja Giuseppina Giuliano udhëton çdo ditë nga Napoli në Milano për të shkuar në punë si pastruese në një shkollë të mesme.
Dita e saj nis në orën 3:30 të mëngjesit. Ajo merr autobusin drejt stacionit të trenit dhe më pas udhëton me trenin e shpejtësisë së lartë për rreth katër orë e gjysmë, për të mbërritur në Milano në kohë për të nisur punën. Pas përfundimit të orarit, rikthehet sërish në Napoli, duke mbërritur në shtëpi vonë në mbrëmje.
Edhe pse ka një kontratë të përhershme pune, Giuseppina ka zgjedhur të mos shpërngulet në Milano. Arsyeja është kostoja e lartë e qirave, të cilat, sipas saj, janë të papërballueshme me pagën mujore prej rreth 1,100 eurosh.
Ajo tregon se qiratë për një apartament të vogël nisin nga rreth 650 euro në muaj, ndërsa shpenzimi për abonimin e trenit është rreth 400 euro. Për këtë arsye, udhëtimi i përditshëm i duket zgjidhja më ekonomike, edhe pse i duhet të përshkojë qindra kilometra çdo ditë.
Historia e saj ka tërhequr vëmendje të madhe në Itali, duke nxitur debat mbi koston e jetesës dhe vështirësitë që përballin shumë punonjës për të siguruar një banesë pranë vendit të punës.


Be First to Comment