Temperaturat e larta do të vijojnë të dominojnë motin në vend edhe gjatë ditës së nesërme, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përhapjen e zjarreve në disa qarqe të Shqipërisë.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, niveli i rrezikut nga zjarret parashikohet i lartë në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Ndërsa në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër pritet një rrezik i moderuar, me zona të caktuara ku rreziku mund të jetë më i lartë.
Parashikimet tregojnë se temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 34°C në zonat bregdetare, 37°C në zonat e ulëta dhe 33°C në zonat malore, ndërsa nuk priten reshje shiu.
Instituti u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet nëse konstatojnë vatra zjarri, pasi kushtet atmosferike favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve.


Be First to Comment