Skip to content

Çmimet e karburanteve rriten në Evropë, ja në cilin vend renditet Maqedonia e Veriut

Çmimet e karburanteve në Evropë kanë shënuar rritje të ndjeshme në kuadër të krizës globale të furnizimit me naftë. Në disa shtete evropiane, çmimi i benzinës ka kaluar mbi 2.40 euro për litër, ndërsa nafta ka arritur në mbi 2.50 euro.

Sipas të dhënave të publikuara nga fuel-prices.eu, të raportuara nga Euronews, çmimi mesatar i benzinës të martën ishte më i larti në Holandë, ku një litër kushtonte 2.43 euro. Pas Holandës renditeshin Danimarka me 2.35 euro dhe Finlanda me 2.32 euro për litër.

Në Francë, çmimi i benzinës ishte rreth 2.23 euro për litër, ndërsa në Greqi rreth 2.20 euro.

Situata ishte edhe më e rënduar për drejtuesit e automjeteve me naftë. Në Danimarkë, një litër naftë kushtonte 2.52 euro, ndërsa në Francë 2.40 euro dhe në Itali 2.36 euro.

Po në Maqedoninë e Veriut?

Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të përditësuara më 24 shtator, çmimi maksimal i rregulluar ishte 104.50 denarë për litër për naftën, që korrespondon me rreth 1.70 euro. Ndërkohë, benzina 95 kushtonte 99 denarë, ose rreth 1.61 euro për litër.

Në një krahasim të drejtpërdrejtë, nafta në RMV ishte rreth 80 cent më e lirë për litër sesa në Danimarkë, ku çmimi i raportuar arrinte në 2.52 euro.

Megjithatë, çmimi nominal për litër nuk tregon i vetëm se sa e rëndë është kostoja e karburantit për qytetarët e vendeve të ndryshme. Për një pasqyrë më të plotë duhet marrë parasysh edhe fuqia blerëse.

Sipas analizës së Euronews, për të bërë këtë krahasim është llogaritur kostoja e mbushjes së një rezervuari prej 50 litrash dhe më pas është vlerësuar ajo në raport me fuqinë blerëse të qytetarëve.

Nga ky këndvështrim, vendet e Ballkanit renditen ndër më të prekura nga kostoja relative e karburanteve. Brenda Bashkimit Evropian, Greqia paraqitet si vendi ku shpenzimi për karburant zë peshë më të madhe në raport me fuqinë blerëse.

Presion në rritje edhe mbi rafineritë

Rritja e çmimeve nuk lidhet vetëm me luhatjet e çmimit të naftës së papërpunuar. Sipas Euronews, duke iu referuar të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), prodhimi global i rafinerive në korrik 2026 ishte rreth 5 milionë fuçi në ditë më i ulët krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Ndërprerjet në furnizim kanë bërë që rafineritë të kërkojnë burime alternative të lëndës së parë ose të përballen me kosto më të larta. Problemet kanë prekur edhe furnizimin me produkte të rafinuara, veçanërisht naftën dhe karburantin për aviacion.

Sipas raportimit të Euronews, në situatën aktuale kanë ndikuar edhe sulmet ndaj infrastrukturës energjetike në rajonin e Gjirit, si dhe dëmtimet e rafinerive në Rusi në kuadër të luftës në Ukrainë.

Çfarë pritet me çmimet?

Sipas ekspertëve të Bankës Qendrore Evropiane, të cituar nga Euronews Business, marzhet e rafinimit për naftën mund të arrijnë kulmin në tetor, ndërsa ato për benzinën kanë arritur pikën më të lartë në gusht.

Në këtë situatë, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të naftës, së bashku me nivelin e furnizimit me produkte të rafinuara, pritet të vazhdojnë të jenë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në çmimet e karburanteve në pompa.

Published inNews Shqip