Organizatori i protestës “Jo në emrin tim!”, Çlirim Haziri, ka konfirmuar se protestat do të vazhdojnë, por me një formë të re organizimi.
Në një intervistë për emisionin “Ora Shtatë”, Haziri bëri të ditur se protestat nuk do të mbahen më çdo ditë, siç ndodhi gjatë tri javëve të fundit.
Ai theksoi se organizatorët do të vazhdojnë angazhimin e tyre përmes formave të tjera të protestës, me synimin për të ndikuar në proceset që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Protestat do t’i vazhdojmë, protestat do të ndryshojnë formë. Protesta nuk do të jetë e përditshme. Do të jemi gardianë të këtij ligji dhe do të tentojmë që të ndikojmë në format tona, që të punohet në drejtimin e duhur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe të arrijmë ta ndryshojmë tregimin që po tentohet të vuloset nga një gjykatë super speciale me ato vendimet e saj të diktuara”, deklaroi Haziri.
