Deputeti Erald Kapri: Protestat po krijojnë presion brenda PS-së, nuk përjashtohen zhvillime politike
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka deklaruar se protesta kundër qeverisë po ushtron presion edhe brenda radhëve të Partisë Socialiste.
Gjatë një interviste, Kapri tha se disa deputetë të PS-së po qëndrojnë të heshtur, pasi sipas tij e kuptojnë se është e vështirë t’i dalin përballë situatës së krijuar.
I pyetur nëse këta deputetë mund të pozicionohen kundër kryeministrit Edi Rama, Kapri u shpreh se “urojnë që kjo të ndodhë”, duke lënë të hapur mundësinë e zhvillimeve të reja politike brenda mazhorancës.
Ai deklaroi se po vërehen lëvizje edhe në nivel lokal, ku sipas tij disa figura që më parë kanë mbështetur pushtetin, tashmë janë distancuar dhe kanë paralajmëruar pjesëmarrje në protesta.
“Ky është një pushtet që po përballet me probleme nga brenda”, tha Kapri, duke e lidhur këtë me akuzat e tij për korrupsion dhe probleme të tjera brenda sistemit politik.
Sipas deputetit, protesta ka sjellë një tronditje në skenën politike shqiptare dhe ai pret që muajt e ardhshëm të sjellin zhvillime të reja.
Kapri theksoi se koha dhe mënyra e ndryshimeve të mundshme politike mbetet për t’u parë, por sipas tij “vjeshta politike pritet të jetë e nxehtë”.


Be First to Comment