Është zbardhur dëshmia e 31-vjeçarit Kejdi Banaj në Gjykatë, i cili u arrestua dy javë më parë pasi në automjetin ku udhëtonte drejt Sarandës, në tunelin e Skërficës, u gjetën katër pistoleta tip “Glock”.
Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, Banaj deklaroi se prej vitesh ka qenë përdorues i lëndëve narkotike dhe se në momentin e ngjarjes nuk ishte në gjendje të kuptonte plotësisht çfarë po ndodhte.
Ai tregoi se njihte prej rreth 20 vitesh një person me inicialet E.S., por se nuk ishin takuar prej katër vitesh. Sipas tij, E.S. e kishte kontaktuar papritur dhe i kishte propozuar të shkonin në Sarandë për të kaluar disa ditë pushimi.
Banaj pretendoi se nuk kishte dijeni për armët e gjetura në automjet, duke shpjeguar se çanta e zezë ku ndodheshin ishte vendosur në makinën e tij nga E.S.
“Kam qenë përdorues droge prej vitesh dhe nuk kam idenë se si ndodhi e gjithë kjo. Kur më ndaluan, nuk e kuptoja çfarë po ndodhte. Ende jam i hutuar, por kam treguar gjithçka që di”, u shpreh ai para gjykatës.
Sipas dëshmisë së tij, E.S. kishte shkuar fillimisht te babai i tij për të marrë numrin e telefonit dhe më pas e kishte takuar, duke i propozuar udhëtimin drejt Sarandës.
“E lamë bashkëshorten dhe fëmijën e tij në Elbasan. Më pas shkuam në Tiranë, ku ai mori një çantë dhe e vendosi në makinën time, ndërsa vetë vazhdoi me një automjet tjetër. Unë nuk e dija çfarë kishte brenda saj. Gjatë rrugës ndodhi ndërhyrja e policisë dhe vetëm atëherë kuptova se në automjet ndodheshin armët”, deklaroi Banaj.
31-vjeçari këmbënguli se nuk kishte dijeni për përmbajtjen e çantës dhe mohoi çdo përfshirje të vetëdijshme në transportimin e armëve.


Be First to Comment