Skip to content

Dhimbja e kokës nga temperaturat e larta, çfarë duhet të bëni

Trupi juaj mund t’ju paralajmërojë kur nuk po merr mjaftueshëm lëngje

Lodhja, dhimbja e kokës, marramendja, goja e thatë dhe vështirësitë në përqendrim janë disa prej shenjave që mund të tregojnë se organizmi ka nevojë për më shumë lëngje. Dehidratimi, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta, mund të ndikojë në funksionimin normal të trupit dhe në mirëqenien gjatë gjithë ditës.

Uji është i domosdoshëm për shumë procese të rëndësishme në organizëm. Ai ndihmon në ruajtjen e temperaturës së trupit, mbështet funksionimin e trurit, tretjen dhe qarkullimin e gjakut. Megjithatë, gjatë temperaturave të larta ne humbasim më shumë lëngje përmes djersitjes dhe, nëse nuk i zëvendësojmë ato, mund të shfaqen shenja dehidratimi.

Etja është një nga sinjalet më të zakonshme, por jo i vetmi. Urina me ngjyrë të errët, buzët dhe goja e thata, dhimbja e kokës, lodhja dhe ndjenja e dobësisë mund të jenë tregues të mungesës së lëngjeve. Në disa raste, dehidratimi mund të shoqërohet edhe me marramendje dhe vështirësi në përqendrim.

Mungesa e lëngjeve mund të ndikojë gjithashtu në gjendjen emocionale. Një person mund të ndihet më i lodhur, i irrituar ose ta ketë më të vështirë të kryejë aktivitetet e zakonshme të përditshme.

Edhe sistemi tretës mund të ndikohet. Konsumi i pamjaftueshëm i ujit mund të favorizojë kapsllëkun, pasi lëngjet ndihmojnë në funksionimin normal të aparatit tretës.

Nevoja për ujë nuk është e njëjtë për të gjithë. Ajo varet nga faktorë të ndryshëm, përfshirë moshën, aktivitetin fizik, temperaturën e ambientit dhe gjendjen e përgjithshme të organizmit. Për hidratim mund të kontribuojnë jo vetëm uji, por edhe ushqime të pasura me lëngje, si shalqiri, kastraveci dhe domatja, si dhe pije të tjera të përshtatshme.

Për këtë arsye, është e rëndësishme të pini lëngje rregullisht gjatë ditës, sidomos kur temperaturat janë të larta ose kur kryeni aktivitet fizik.

Nëse shfaqen simptoma të forta si konfuzion, dobësi e theksuar, marramendje e rëndë ose urinë shumë e errët dhe gjendja nuk përmirësohet pas marrjes së lëngjeve, duhet kërkuar këshillë mjekësore.

Published inNews Shqip